Sonte Suedi-Shqipëri, kuqezinjtë kërkojnë rezultat pozitiv
Kombëtarja e Shqipërisë sonte luan miqësoren e dytë të këtij viti kundër Suedisë.
Kuqezinjtë pas humbjes nga Kili (3-0), në duel me suedezët synojnë paraqitje më të mirë dhe rezultat pozitiv.
Trajneri Sylvinho tha se pavarësisht disfatës me Kilin lojtarët janë të motivuar për të dhënë më të mirën në sfidën ndaj Suedisë.
Tekniku brazilian theksoi se sfidat miqësore janë prova të rëndësishme para finaleve të Evropianit dhe shtoi se të gjithë lojtarët do të ketë mundësinë të shpalosin vlerat e tyre.
“E dinim që dy miqësoret janë ndeshje të vështira dhe pas kthimit në Tiranë ne do të fillojmë të mendojmë dhe të shohim opsionet që kemi për listën dhe Evropianin. Ne kemi bërë një rrugëtim shumë të bukur, por tani kishim dy miqësore ku duhet të provojmë sa më shumë lojtarë që ne të përgatitemi sa më mirë për Evropianin. Sigurisht është e vërtetë dhe është e pashmangshme që lojtarët të mos mendojnë për listën, por ata njëkohësisht mendojnë për të dhënë maksimumin në fushën e lojës. Sa i përket Suedisë është një kundërshtarë që ne e donim dhe e dinim që është një kundërshtarë i fortë. Suedia ka një histori të madhe dhe është një skuadër që është mësuar të luajë në Botëror, në Evropian. Kështu që në pret një ndeshje e fortë”, ka thënë Sylvinho.
Ndeshja mes Suedisë dhe Shqipërisë fillon në orën 19:00.