Elita e basketbollit vazhdon sonte me dy sfida të “nxehta”
Emocionet e elitës së basketbollit tonë, do të vazhdojnë sot me dy ndeshjet e fundit të javës së 27-të, ku do të ballafaqohen Vëllaznimi-Istogu dhe Proton Cable Prizreni-Golden Eagle Ylli.
Vëllaznimi pritet t’iu kthehet fitoreve, pasi ndeshet me Istogun, që po paraqitet vetëm me vendorë. Kuqezinjtë kanë 11 fitore e 15 humbje, ndërsa istogasit një fitore e 25 humbje.
Dueli i fundit është mes Proton Cable Prizrenit dhe Golden Eagle Yllit, ku prizrenasit do të luajnë në “Play-out”, kurse therandasit synojnë gjysmëfinalen e “Play-off”-it.
Basketbollistët prizrenas numërojnë shtatë fitore e 19 humbje, ndërsa ata therandas 17 fitore e nëntë humbje.
Superliga/Java 27
Sot takohen:
19:00 Vëllaznimi – Istogu
20:00 Proton Cable Prizreni-Golden Eagle Ylli