Rashica: Gjithmonë është ndjenjë tjetër kur shënon për Kosovën
Ylli i Kombëtares së Kosovës, Milot Rashica, është shprehur i lumtur me fitoren dhe golin e shënuar ndaj Armenisë.
Dardanët mundën në udhëtim Armeninën (0-1), të enjten mbrëma në një ndeshje miqësore.
Ishte anësori Besiktasit, i cili në minutën e 25-të shënoi golin e vetëm dhe të fitores së Kosovës në duel me armenët.
Rashica pas ndeshjes tha ky është një fillim i mbarë. Ai e ka vlerësuar trajnerin dhe stafin e tij për energjitë e reja që kanë sjellë në grumbullim.
“Është një fillim i mirë, një fillim i mbarë. Shpresojmë të vazhdojmë kështu. Trajneri i ri ka sjell një energji të re, me stafin e tij kemi pas 3-4 stërvitje shumë të mira dhe po shpresojmë që gjërat e mira në stërvitje, t’i aplikojmë edhe në ndeshje”, ka thënë Rashica.
“Gjithmonë është një ndjenjë krejt tjetër kur arrin të shënosh për Kosovën. Sot patëm edhe disa raste të tjera, madje unë është dashur që të shënojë edhe një gol, por e rëndësishme është që po arrijmë të krijojmë raste një pas një. Është gjithmonë e mirë të fillojmë me fitore dhe shpresoj që të arrijmë rezultat pozitiv edhe në ndeshjen tjetër”, ka theksuar Rashica
Kosova pas tri ditësh luan miqësoren e radhës kundër Hungarisë në Budapest, ndeshje e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.