Kuqezinjtë mbyllin përgatitjet në Shqipëri, Uzuni kthehet në Spanjë
Kombëtarja kuqezi u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve në Shqipëri për miqësoren e parë, atë kundër Kilit, teksa skuadra e drejtuar nga trajneri Sylvinho ka zhvilluar në fushat e “Shtëpisë së Futbollit”, siç njihet ndryshe selia e Federatës Shqiptare të Futbollit në kryeqytet, edhe seancën e fundit stërvitore para nisjes për në Itali.
Siç dihet, të enjten paradite, kuqezinjtë do të nisen drejt Italisë, atje ku do të akomodohen në Parma dhe do të do të kenë në mbrëmje konferencën për shtyp trajnerit Sylvinho dhe më pas edhe seancën e fundit stërvitore zyrtare në Stadiumin “Enio Tardini”, aty ku të premten, duke nisur nga ora 20:45, do të luhet edhe miqësorja me Kilin.
Përgjatë 3 ditëve të fundit, Kombëtarja ka zhvilluar 4 seanca stërvitore, një të hënën pasdite, dy të martën, paradite dhe pasdite, dhe një të mërkurën pasdite.
Burime pranë kampit kuqezi kanë pohuar se Myrto Uzuni nuk ia ka dalë, për shkak të një dëmtimi në kavilje, dhe nuk do të jetë në dispozicion të Kombëtares për dy miqësoret e 10-ditëshit të fundit të marsit, atë ndaj Kilit dhe atë ndaj Suedisë.
Edhe portieri Etrit Berisha ka shqetësime muskulore, por do të udhëtojë me skuadrën, me shpresën se do të jetë në ndeshjen e dytë me Suedinë.
Shqipëria ka programuar dy sfida miqësore në 10-ditëshin e fundit të këtij muaji dhe, pasi duelit me Kilin në Parma më 22 mars, kuqezinjtë udhëtojnë drejt Suedisë, atje ku më 25 mars përballet me përfaqësuesen vendase.