Kosova mban seancën e radhës, Aliti e Rrahmani besojnë në fillim të mbarë
Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur seancën e fundit stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali, si pjesë e përgatitjeve për ndeshjet miqësore në Yerevan të Armenisë.
Në këtë seancë, përzgjedhësi Franco Foda ka punuar intensivisht në aspektin taktik dhe transformimin e reparteve, teksa kishte në dispozicion të gjithë futbollistët e ftuar për miqësoret kundër Armenisë (22 mars) dhe Hungarisë (më 26 mars).
Fidan Aliti, një ndër shtyllat e mbrojtjes pas stërvitjes tha se shpreson për rezultate pozitive në këto ndeshje miqësore dhe beson se ato, së bashku me ndeshjet e ardhshme në qershor, do të ndihmojnë në njohjen e filozofisë së trajnerit të ri.
Ai gjithashtu vlerëson cilësinë e Hungarisë, duke shtuar se fakti që ata janë në Kampionatin Evropian tregon për kualitetin e tyre.
Ndërkaq, Albion Rrahmani, gjithashtu u shpreh i lumtur që është pjesë e Kombëtares pas një periudhe të shkurtër mungese për shkak të lëndimit. Ai shprehet se është i gatshëm të japë maksimumin në fushë.
Ai vlerëson rëndësinë e ndeshjeve miqësore për të kuptuar taktikën e re të trajnerit dhe për t’u përgatitur për ndeshjet zyrtare në shtator.
Ndeshja Armeni-Kosovë luhet të premten pasdite dhe vjen drejtpërdrejt në RTK.