S’gabon Ballkani, Llapi mposht Dukagjinin
Kanë përfunduar dy ndeshjet e sotme në Superligën e Kosovës në futboll.
Kampioni në fuqi i Kosovës, Ballkani ka arritur fitoren e dytë radhazi në elitën e futbollit tonë, duke mundur Fronikelin ’74, me rezultat 2-0, të dielën pasdite në Suharekë.
Skuadra e Ilir Dajës ka vazhduar me formën e mirë edhe në duel me skuadrën nga Drenasi, derisa kjo është fitorja e 50-të e strategut shqiptar në krye të Ballkanit.
Skuadra nga Suhareka falë një goli të Berishës (45’) dhe autogolit të Rrahmanit (68’), mori edhe tri pikë të mëdha në garën për të mbrojtur titullin e kampionit.
Llapi i fortë për Dukagjinin
Pikët maksimale këtë xhiro, i ka arkëtuar edhe Llapi që në ‘Zahir Pajaziti’ mundi Dukagjinin, me rezultat 3-0.
Llapjanët bën paraqitje më të mirë se klinasit duke e kontrolluar lojën më mirë në terren.
Blakçori (68’), Hyseni (78’) dhe Selimi (88’), u përkujdesën për fitoren e skuadrës së Tahir Batatinës.
Llapi arrin fitoren e parë këtë sezon, kurse, Dukagjini pëson disfatën e dytë.
Ndeshja e fundit e javës së dytë në Superligë luhet nesër pasdite, ku do të ballafaqohen Prishtina dhe Gjilani.