Drita dhe Gjilani ndajnë piket, ja çfarë deklarojnë Ramadani e Mazani
Drita e Gjilani i kanë ndarë pikët duke luajtur 2:2 në derbin e anamoravës, që i takoi xhiros së 26-të të Superligës në futboll.
Golat për të kaltrit i shënuan Baftiu (24’) dhe Dabiqaj (55’), ndërsa për të kuqtë, Basa (32’) dhe Ismajli (44’).
Vlen të ceket se po ashtu u dhanë tre karton të kuq, një për Dritën e dy për Gjilanin.
Pas ndeshjes, trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani tha se ka mundur të fitoi, por në fund mori pikën me shumë mund.
“Golat, dyluftimet, kartonat janë pjesë e derbit. Lëshuam dy pikë me të nisur ndeshja. Kaluam në avantazh. Jo që nuk na rrezikoi Gjilani, por golin e parë e shënuam ne. Te goli i dytë na ra përqendrimi, por nuk është e lehtë të luash tri ndeshje rresht shumë të vështira, në fusha të vështira. E menaxhuam mirë rezultatin pasi mbetëm me një lojtar më pak në fushë. Barazimi ndoshta është rezultat real. Kur nuk fiton, është mirë mos ta humbësh ndeshjen. Këtë sot e arritëm me shumë mund, shumë sakrificë”, ka theksuar Ramadani, shkruan Express.
Mezani shprehet i kënaqur me paraqitjen e ekipit
Ndërkaq, trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani, ka thënë se është i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në derbi.
“Mendoj që nuk i kemi zhgënjyer tifozët. Është shfaqur derbi i vërtetë, ka pasur luftë, gola, lojë të bukur e kartonë. Jam i kënaqur sepse çunat treguan karakter. Bëmë ndeshje të mirë dhe është pikë e mirë për vazhdimësinë. Kjo tregon se ekipi e ka forcën e duhur për të vazhduar tutje. Lojtarët që kisha në lojë mund ta zgjidhnin ndeshjen në disa situata. Problemi ishte se ne e qarkulluam ngadalë topin dhe më pas luajtëm me topa të gjatë që ishte gabim. Si shkoi ndeshja është dashur ta zgjidhnim atë që në pjesën e parë. Çunat e kishin për detyrë të luanin me harkime për shkak se kemi shënuar shumë gola me Jaroviqin, por këtë nuk na e lejoi kundërshtari. Kemi bërë ndeshje të mirë dhe dua t’i marr gjëra pozitive. Tani duhet t’i përmirësojmë gabimet që i kemi bërë”, ka theksuar Mezani.
Kështu, Drita e lëshon mundësinë për të kaluar në krye të tabelës. Tash ata kanë 50-të pikë për pozitën e tretë. Në krahun tjetër, Gjilani grumbullon 26 pikë.