Alcaraz mposht Sinner me përmbysje, spanjolli ruan vendin e dytë dhe shkon në finale
Carlos Alcaraz mposhti me përmbysje Jannik Sinner në gjysmëfinalen e Indian Wells.
Spanjolli fitoi me shifrat 2-1, teksa e humbi setin e parë me rezultatin 6-1. U duk se do të ishte një ditë jo për tenistin nga Murcia, megjithatë Alcaraz ia doli të rikthehej në lojë dhe në setin e dytë barazoi rezultatin e përgjithshëm falë triumfit 6-3.
Në setin final, 20-vjeçari dominoi sërish dhe e mbylli atë me shifrat 6-2 duke i shkaktuar Sinner disfatën e parë për këtë vit. Falë këtij suksesi, Alcaraz ia doli që të ruajë edhe vendin e dytë në klasifikimin botëror, vend i cili i rrezikohej pikërisht nga Sinner.
Në finalen e Indian Wells, që transmetohet në SuperSport të dielën në orën 22:00, Alcaraz do të përballet me rusin Daniil Medvedev, që nga ana tjetër mposhti tenistin vendas Tommy Paul me shifrat 2-1.