Ancelotti: Nëse duhet të fitosh Champions-in, duhet të mundësh Cityn
Carlo Ancelotti doli sot përpara gazetarëve për të prezantuar ndeshjen e radhës së Reali në La Liga (të shtunën në 16:15 i pret Osasuna), por siç pritej vëmendjen e mori shorti i Nyonit ku u vendosën çiftet çerekfinaliste të Ligës së Kampioneve.
“I tërë globi mendon se Siti është favorit. Ata janë kampionët në fuqi dhe për këtë motiv mendoj se është një duel mjaft i fortë. Ne kemi bindjen se do të luajmë shumë mirë në të dy ndeshjet. Mendoj se çerekfinalet janë pjesa më e rëndësishme e turneut. Nëse bën mirë aty atëherë ke shumë shanse për suksesin final. Nëse do të fitosh Champions-in, atëherë duhet të mundësh më të mirat. Siti mund të jetë më e mira e Europës për momentin, por e përsëris ne kemi shumë besim. Nëse duam të fitojmë Champions-in atëherë duhet të mundim Cityn”, tha Ancelotti.
Vigjilja e ndeshjes me Osasunën ishte mjaft pozitive për Realin pasi për herë të parë me grupin e lojtarëve u bashkuan edhe Kurtua dhe Militao, të cilët kanë qëndruar më shumë se gjashtë muajve jashtë fushave pasi pësuan dëmtime të rënda në ligamentet e gjurit.
“Si Kurtua edhe Militao po bëjnë mirë dhe them se do të jenë gati të luajnë ndeshjen e 31 marsit ku do të përballemi me Bilbaon”, bëri me dije Ancelotti.