Një derbi të shtunën e një të dielën në hendbollin e meshkujve
Në fundjavë vazhdon gara në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt) me ndeshjet e xhiros së 21-të.
Të shtunën vëmendja do të jetë në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, ku përballen rivalët e moçëm, Trepça e Prishtina.
Skuadra prishtinase ka dhënë sinjale të forta ndaj Besa Famgasit në ndeshjen e kaluar dhe synon pikët në Mitrovicë.
Ndërkohë lojtarët e Trepçës do të bëjnë përpjekje maksimale për të mbajtur pikët dhe për të vazhduar kështu garën për pozitën e tretë në tabelë.
Aktualisht Trepça është e treta me 24 pikë, por ka një ndeshje më pak të luajtur. Prishtina është e pesta me 18 pikë dhe po ashtu me një ndeshje më pak të zhvilluar. Prishtina është ende në garë për play off.
Kjo ndeshje zhvillohet prej orës 20:00.
Të shtunën është edhe ndeshja Deçani – Rahoveci, që zhvillohet prej orës 19:00. Rahoveci është favorit i madh, ka 20 fitore rresht dhe udhëheq në tabelë me 40 pikë. Deçani është i gjashti me 6 pikë.
Të dielën është derbi tjetër i xhiros së 21-të. Kampionia Besa Famgas e pret në Pejë skuadrën e Kastriotit, nga ora 19:00. Besa synon të vazhdojë me fitore, ndërsa me synime të mëdha rrugë merr edhe skuadra ferizajase. Besa Famgas është e dyta me 32 pikë.
Rivalitet pritet edhe në ndeshjen Vëllaznimi – Vushtrria, që po ashtu është të dielën nga ora 19:00.