Neymar bëhet menjëherë çështje në Arabi, trajneri: Nuk e kuptoj çfarë po ndodh!
Të gjithë janë në pritje të debutimit të Neymar në Arabinë Saudite me fanellën e Al Hilal, mirëpo është tekniku i skuadrës arabe, Jorge Jesus që ul entuziazmin dhe shprehet se sulmuesi është i dëmtuar dhe se mund të mos luajë deri në mesin e shtatorit.
Jo vetëm kaq, por Jesus bën polemikë edhe me trajnerin e kombëtares së Brazilit, Ramon Menezes duke qenë se Neymar është grumbulluar për dy ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës, në datat nëntë dhe 13 shtator respektivisht ndaj Perusë dhe Bolivisë.
“Neymar ka mbërritur i dëmtuar, ka një problem muskulor. Nuk mund të them me saktësi se kur mund të rikthehet në fushë dhe të jetë gati për t’u stërvitur normalisht. Edhe pse e shoh të paumndur që të luaj të paktën deri në mesin e muajit shtator.
Nuk duhej të ishte në dispozicion as të kombëtares së Brazilit sepse është në fazën e rikuperimit. Nuk e kuptoj pse trajneri i kombëtares e ka grumbulluar. Ai është i dëmtuar dhe nuk mund të luaj, kjo nuk qëndron”, u shpreh Jesus.
Vlen të theksohet se Neymar nuk luan një ndeshje zyrtare nga 19 shkurti i këtij viti kur pësoi një dëmtim në ndeshjen mes Paris Saint-Germain dhe Lille.