“Ndeshja ndaj Newcastle tregoi pse fitojmë aq shumë trofe”, Guardiola: Premier League na sfidoi!

“Ndeshja ndaj Newcastle tregoi pse fitojmë aq shumë trofe”, Guardiola: Premier League na sfidoi!

Manchester City koleksionoi fitoren e dytë në dy javë të Premier League teksa mposhti në Etihad Stadium me rezultatin 1-0, Newcastle.

Vendimtar goli i Julian Alvarez në pjesën e parë, teksa pas sfidës trajneri Pep Guardiola lavdëroi djemtë e tij.

Spanjolli theksoi se ndeshja ndaj Newcastle tregoi pse skuadra e tij është aq e suksesshme pasi lojtarët treguan mentalitetin e duhur për të marrë pikët e plota pavarësisht dëmtimeve dhe faktit që kishin shumë pak ditë pushim duke qenë se të mërkurën ishin në fushë për finalen e Superkupës Europiane ndaj Sevillas.

“Ndeshja ndaj Newcastle tregoi më së miri pse kjo skuadër ka fituar kaq shumë tituj. Mentaliteti i lojtarëve më surprizon gjithmonë. Këtë ndeshje ishim në kushte të vështira, shumë pak pushim, lojtarë të dëmtuar dhe pavarësisht këtyre luajtëm shumë mirë. Përkushtimi në fushë ishte maksimal dhe unë jam shumë i lumtur me paraqitjen e lojtarëve. Ishte një fitore e merituar ndërkohë që mund të kishim shënuar edhe më shumë.

I thashë lojtarëve se duhej të bënim një sforco, kështu ishte kalendari i Premier League dhe ne duhej të ishim gati. E pranuam me kënaqësi sfidën, sjellja e lojtarëve ishte e jashtëzakonshme”, u shpreh Guardiola, i cili ashtu si edhe në disa ndeshje të sezonit të kaluar, takimin ndaj Newcastle e mbylli pa kryer asnjë nga pesë zëvendësimet e mundshme.

Share This