Çfarë trileri? Atletico Madrid në çerekfinale, ‘rrëzon’ Interin
Atletico Madrid ka bërë një rikthim mahnitës për ta eliminuar Interin nga Liga e Kampionëve.
“Neurazzurët” hynë në “Wanda Metripolitano” me avantazhin 1:0 nga ndeshja e parë, mirëpo Atletico s’u dorëzua duke e përmbysur në 2:1 në kohën e rregullt e pastaj fitoi në penallti me rezultat 3:2.
Inter ishte skuadër më kërkuese në minutat e parë, duke pasur disa raste me Denzel Dumfries mirëpo Jan Oblak bëri disa super pritje që t’ia mohojë golin.
Megjithatë, Inter kaloi në epërsi përmes Federico Dimarco që shënoi një gol nga afërsia pas një super asistimi të Nicolo Barellas (33’).
Mirëpo, gëzimi i mysafirëve zgjati vetëm dy minuta me Antoine Griezmann që e barazoi rezultatin duke përfituar nga një top i kthyer (35’).
Atletico kishte edhe një rast të mirë përmes Griezmann, mirëpo francezi dështoi nga gjashtë metra distancë.
Kur askush s’e priste, Koke gjeti për mrekulli Memphis Depay që përmbysi epërsinë dhe dërgoi ndeshjen në vazhdime.
Pavarësisht që u zhvilluan edhe 30 minuta të tjerë, asnjëra skuadër nuk arriti t’i finalizojë rastet andaj si në ndeshjen Arsenal – Porto, çerekfinalisti u caktua në 11-metërsha.
Nga pika e bardhë, më të mirë u treguan skuadra madrilene që fitoi me rezultat 3:2.
Kësisoj, Atletico Madrid bëhet skuadra e fundit çerekfinaliste kurse shorti do të tërhiqet të premten.