Mbappe, në kërkim të një shtëpie në Madrid
Ajo mes Kylian Mbappes dhe Real Madridit është një martesë që duhet bërë.
Kampioni francez tashmë është gati të largohet nga PSG e Luis Enrique dhe të nisë aventurën e re me fanellën e Los Blancos, duke realizuar kështu një ëndërr të kahmotshme.
Ish-lojtari i Monacos do të duhet të vendoset në dhomën e zhveshjes së Valdebebas dhe në fushën e “Bernabeut”, por i duhet edhe një apartament luksoz për të qëndruar në kryeqytetin spanjoll.
Në këtë kuptim, familja e tij tashmë ka vizituar disa agjenci imobiliare për të vlerësuar çmimin dhe komoditetin e një shtëpie “galaktike”.
Sipas gazetës Marca, gjithmonë shumë pranë dinamikës së shtëpisë Real, familja e Kylian Mbappe-s ka shkuar rreth dhjetë ditë më parë në Spanjë për t’u njohur me kryeqytetin, duke eksploruar zgjidhjet e para për të shfrytëzuar sa më shumë qëndrimin e tyre në Madrid.
Lëvizja te Los Blancos tani duket të jetë thjesht një formalitet, me PSG-në që tashmë mendon për të ardhmen dhe se si të luajë pa klasin ’98.
Kuriozitet i madh për vendndodhjen që Mbappé do të zgjedhë për të jetuar jetën e tij të përditshme, larg vëmendjes. Krahasuar me fillimin e viteve 2000, futbollistët priren të largohen nga qendra sportive Valdebebas, për të shmangur sytë kureshtarë, mikrofonat dhe kamerat. Lydia Martínez, CEO e agjencisë së pasurive të paluajtshme Steps Relocation, analizoi “fenomenin Mbappé” në mikrofonat e Marca: “Ata nuk shikojnë çmimin – përsëriti menjëherë Martinez, duke parë të kaluarën – Zakonisht jepen me qira derisa të blihen. Kostoja e përgjithshme është midis 12 dhe 16 milionë euro, në varësi të asaj se çfarë duan të interesuarit. Për qiranë, rreth 25,000 e deri në 35000 në muaj është diçka shumë normale mund të kalojë një vit ndërsa të gjejnë një shtëpi tashmë të ndërtuar ose dy vjet, dy vjet e gjysëm nëse blen tokë dhe e ndërton shtëpinë sipas dëshirës tënde, në një muaj është thuajse e pamundur. Në fakt, ju këshilloj të mos blini shpejt, sepse nuk e dini nëse ju pëlqen të jetoni në këtë lagje. Po flasim për një investim të rëndësishëm”.