“Më shau nga familja”, trajneri i Portos akuza Artetës
Arsenali u kualifikua mes tensionit në çerekfinale të Championsit, me Porton që u dorëzua vetëm pas goditjes së 11-metërshave.
Trajneri i skuadrës portugeze, Sergio Conceicao, akuzoi pas ndeshjes homologun e tij të “Topçinjve”, Mikel Arteta, se e ka ofenduar rëndë.
“Ajo që tha Arteta, drejt pankinës në spanjisht ishte e rëndë, ai ofendoi familjen time”, tha Conceicao në konferencën për shtypin. Burime të klubit të Arsenalit thonë se Arteta i mohon akuzat.
Pas fishkëllimës së fundit, dy menaxherët patën një diskutim intensiv në fushë përpara se të ndaheshin.
“Ai duhet të fokusohet në stërvitjen e ekipit të tij. Rezultati ishte i padrejtë. Skuadra ime e meritonte të kualifikohej”.
Përpara komenteve të Conceicaos, Arteta u pyet për përballjen me të në fund, por reagoi shkurt: “No comment. Faleminderit shumë”.
Ndeshja e parë në Portugali përfundoi me fitoren 1-0 të Portos, por goli i Leandro Trossard në minutën e 41-të në “Emirates Stadium” barazoi shifrat, duke e dërguar ndeshjen në ndeshje shtesë dhe më pas te penalltitë.
Dy pritjet e Rayas (rezultati i penalltive 4-2) e çuan Arsenalin në çerekfinale të turneut për herë të parë në 14 vjet.