Trajneri i Portos mesazh Arsenalit: Duam të konfirmojmë veten
Porton e Sérgio Conceição-s do të tentojë të kualifikohet në çerekfinale të Ligës së Kampionëve nesër në fushën e Arsenalit duke nisur nga një avantazh prej një goli.
Në mesin e 24 lojtarëve të nisur drejt Londrës, është edhe Mehdi Taremi, i cili ishte jashtë fushës që prej 12 shkurtit për shkak të një dëmtimi.
Sulmuesi iranian, që do të bëhet i Interit në përfundim të sezonit, është stërvitur rregullisht në grup dhe do të jetë një opsion i rëndësishëm për t’u shfrytëzuar për Dragoes.
Në prag të kësaj sfide, trajneri Sérgio Conceição ka deklaruar:
“Lojtarët duhet të jenë të kënaqur me atë që bënë në ndeshjen e parë. Kishte pak kohë për të punuar, por ne e bëmë atë me shumë vendosmëri. Në ndeshjen e parë skuadra kuptoi në mënyrë perfekte hapësirat, të hynim për të ndikuar te kundërshtarët dhe gjithashtu atë që duhej të bënim në sulm për t’i dëmtuar ata. Ishte një ndeshje e mirë, një ndeshje e Champions. Kundërshtarët tanë kishin më shumë topin, por Porto ishte gjithnjë e më e rrezikshme”.