Super goli i Lamine Yamal i siguron tri pikë të reja Barcelonës ndaj Mallorcas së Muriqit
Barcelona ka shënuar fitore me rezultat minimal 1-0 ndaj Mallorcës në kuadër të xhiros së 28-të në elitën e futbollit spanjoll.
Blaugranasit e nisën furishëm ndeshjen duke pasur disa raste të mira për të kaluar në avantazh, por që u treguan të dobët në finalizim të aksionit.
Ilkay Gundogan (24’) dështoi të shënojë nga pika e bardhë pas penalltisë së fituar nga Raphinha.
Një tjetër rast të mirë për të kaluar në avantazh Barcelona e pati me anë të Fermin Lopez (45’) por goditjen e tij me kokë e ndali portieri mysafir.
Dominimi i Barcelonës vazhdoi edhe në pjesën e dytë ku eventualisht pas përpjekjeve të njëpasnjëshme gjetën golin e fitores.
Lamine Yamal (57’) humbi një mundësi të artë shënimi pasi gjuajtja e tij u ndal nga traversa.
Goli që i dha fitoren Barcelonës erdhi në minutën e 73-të ku protagonist kryesor ishte pikërisht Lamine Yamal i cili me një super gjuajtje la të shtangur portierin mysafir për 1-0, shkruan telegrafi.
Me këtë fitore Barcelona shkon në kuotën e 61 pikëve, duke ngushtuar diferencën me Real Madridin në vetëm pesë pikë, por që madrilenët kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.