Igli Tare pritet të emërohet drejtor sportiv te Napoli
Igli Tare gati të rikthehet në Serie A. Ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare, i dha fund në verë aventurës 15-vjeçare si drejtor sportiv i Lazios.
Sipas asaj që raporton “SuperSport”, 50-vjeçari shqiptar po bisedon prej ditësh me Napolin, për të marrë të njëjtën detyrë. Por tashmë te kampionët në fuqi të Italisë.
Negociatat mes Tares dhe presidentit Aurelio De Laurentiis po shkojnë mbarë dhe brenda 10 ditëve të ardhshme pritet zyrtarizimi i marrëveshjes.
Me Napolin që do të shndërrohet në klubin e dytë të Tares si drejtor sportiv, pas eksperiencës së gjatë dhe të suksesshme në kryeqytet. Në 2018 ai u shpall më i miri në Serie A në rolin e tij.
Tare do të marrë te Napoli postin e lënë bosh nga Cristiano Giuntoli, i cili kaloi te Juventusi pas fitimit të titullit sezonin e kaluar.