“Kualifikimi në Botëror, motiv i madh për të gjitha sportet”
Kombëtarja U18 e Kosovës në hendboll në konkurrencën e fermave, tashmë është kthyer nga Tashkenti i Uzbekistanit, ku të dielën e siguroi kualifikimin në Kampionatin Botëror.
Botërori për të reja mbahet në Kinë gjatë muajit gusht.
Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, të hënën në një konferencë për media, ka vlerësuar historik kualifikimin në Botëror me Kombëtaren U18.
“Jemi mbledhur për një sukses të jashtëzakonshëm të kombëtares sonë U18 dhe me krenari e themi se ky është një moment historik për sportin e Kosovës. Janë kualifikuar në Kampionatin Botëror që do të mbahet në Kinë në muajin gusht dhe mund të them se vajzat tona na kanë bërë krenarë me këtë sukses të jashtëzakonshëm të arritur. Meritore për këtë sukses janë të gjitha hallkat dhe po ashtu në arenën ndërkombëtare hendbolli është duke ecur mirë, gjë që na bën krenarë të gjithëve. Ne po flasim për gjeneratën e re, e cila është një kombinim i vajzave që janë të përkushtuara për Kosovën. Vitin e kaluar ka filluar ky udhëtim pasi morën pjesë në IHF Trophy në zonën evropiane dhe tani kulmoi me triumf. Ky sukses besoj se do të jetë një motiv i madh jo vetëm për hendbollin por edhe për sportet tjera, që të jenë konkurrues për të arritur suksese. Ne mendojmë dhe synojmë që në të ardhmen të jemi shumë më lartë”, ka thënë Saraçini.
I ngazëllyer me suksesin e Dardaneve të reja, është shprehur edhe kryetrajneri Mitat Ferati.
“Siç e ceki edhe presidenti, ne jemi krenarë me këtë moment historik, i cili erdhi falë angazhimit të gjithëve. Kemi një ekip me lojtare nga Zvicra, Gjermania dhe Kosova, ndërsa vajzat ishin fantastike. E kemi pasur një fazë të vështirë me kundërshtarë të fortë dhe nuk ishte aspak lehtë. Mirëpo, angazhimi i vashave në secilën ndeshje ka bërë që të arrijmë këtë sukses të madh, kualifikimin në Botërorin U18. Çelësi i këtij suksesi është talenti që e posedojnë këto vasha pasi kanë dhënë më të mirën nga vetja. Deri tash kemi bërë paraqitje të mira dhe e kemi dëshmuar këtë, por ende nuk kemi hasur në ekipe që na presin në Kinë, ku do të mbahet Botërori. Krahas punës edhe disiplina e ka sjellë këtë sukses”, ka theksuar Ferati.
Ndërkaq, hendbollistja Arona Krasniqi, tha se e është lumtur me suksesin e arritur. Sipas saj, Kosova do të jep më të mirën në Botërorin që do të mbahet në Kinë.
“Është një arritje e madhe dhe do të jemi gati për Botëror, ku do të japim maksimumin për të bërë paraqitje sa më të mira. Ndjenjë më të mirë nuk besoj se do të ketë se sa të paraqitemi në Botëror, pasi ka dy vite që kemi punuar për të arritur këtë sukses. Të gjitha lojtaret jemi angazhuar që të japim maksimumin në secilën ndeshje, pavarësisht nëse fitojmë apo humbim. Është një ndjenjë shumë e mirë që kemi arritur të kualifikohemi në Botëror”, ka pohuar Krasniqi.
Edhe Sara Gjergjaj, një tjetër hendbolliste e Kosovës U18, premton më të mirën në Botërorin e Kinës.
“Ne vetëm duam të japim sa më shumë që të mundemi. E dimë vet se jemi pak pasi hendbolli që do të luhet në Kinë është më i fortë se sa që e kishim në këtë turne, është hendbolli i Evropës, hendbolli më i miri. Por prapë se prapë do të ushtrojmë sa më shumë sepse do të jemi në Kinë dhe të japim sa më shumë që mundemi dhe ta luajmë lojën sikur dimë”, ka theksuar ajo.