Shqetësim se fushat sintetike janë kancerogjene, Agim Ademi thotë se kjo gjë nuk qëndron
Futbolli i Kosovës zhvillohet në pjesën më të madhe nëpër fusha sintetike kjo pasi mungojnë fushat me bari natyral dhe se shumica e klubeve kanë vështirësi për t’i mirëmbajtur ato.
Por, në shumë raste ka qenë në diskutim kualiteti i fushave sintetike që ndërtohen në Kosovës. Mjekët sportivë kanë thënë për KosovaPress se këto fusha janë shkaktarë i shumë lëndimeve të lojtarëve, por ata kanë shkuar edhe më tutje duke thënë se ato edhe mund të jene kancerogjene.
Por, këtyre konkludimeve iu është përgjigjur presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Ai për KosovaPress ka thënë se këto pretendime nuk qëndrojnë fare.
“Kjo nuk qëndron, kjo është fjalë e njerëzve që nuk e dinë, duhet të dihet materia, të shihen dokumentet çfarë ka në atë fushë, të shihet do të thotë letra e asaj fushe dhe nuk qëndron kjo fare. Kjo është fjala e fundit e fushës sintetike dhe aspak nuk është kancerogjene sepse nuk japin as UEFA as FIFA para që fushat të bëhen kancerogjene”, tha Ademi.