Prishtina e fortë për Lirinë, Malisheva fundos Gjilanin, shkëlqen Hazrollaj
Prishtina i ka arkëtuar pikët e plota ndaj Lirisë së Prizrenit (3:0), derisa Malisheva me mund triumfoi kundër Gjilanit (2:3).
Skuadra nga kryeqyteti ishte fantastike në Lipjan, duke mposhtur me rezultat 3:1 Lirinë.
Vendasit dominuan nga minuta e parë, duke pasur disa raste shënimi por Stivi Frashëri bëri super pritje për t’ua mohuar golin.
Ishte Ardian Muja që e theu mbrojtje mysafire pas asistimit të Genc Hamitit për të kaluar në epërsi (61’).
Vetëm tetë minuta më vonë, Kreshnik Uka realizoi nga afërsia për të dyfishuar epërsinë (69’).
Prishtina në fakt shënoi prapë pas pesë minutave, por goli i Leotrim Kryeziut u anulua nga VAR-i për pozitë jashtë loje.
Megjithatë, Kryeziu s’u dorëzua duke vulosur fitoren krejt në fund pas një driblimi mahnitës (86’).
E tëra që bëri skuadra nga Prizreni, ishte goli i nderit nga Aldi Gjumsi që realizoi eurogol nga distanca (90+5′).
Prishtina qëndron në pozitën e pestë me 34 pikë, derisa Liria renditet krejt në fund me 10 sosh.
Në anën tjetër, ylli i Malishevës Drilon Hazrollaj realizoi një het-trik për t’ia siguruar fitoren skuadrës së tij në udhëtim te Gjilani, që përfundoi me rezultat 2:3.
Gjilani e nisi shumë më mirë duke kaluar në epërsi pas vetëm nëntë minutave përmes Senad Jarovic, që u asistua nga Elton Cale.
Mirëpo, më pas Drilon Hazrollaj realizoi nga afërsia për ta barazuar rezultatin (19’).
I njëjti u tregua i saktë nga pika e bardhë për ta përmbysur epërsinë e Gjilanit (40’).
“Skifterët” prapë e nisën më mirë edhe në pjesën e dytë, duke shënuar sërish – këtë herë me Kushtrim Shabanin që u asistua nga Ismaili (75’).
Megjithatë, Hazrollaj doli prapë në skenë pas një tjetër aksioni fantastik për të realizuar nga afërsia (86’).
Malisheva mbetet në pozitën e katërt me 41 pikë, vetëm dy pikë nga pozita e tretë që të shpie në Evropë, derisa Gjilani zë pozitën e tetë me 22 sosh.