Konfirmohet miqësorja e fundit e kombëtares shqiptare
Në fillim Kili, Suedia, Liechtenstein dhe në fund Azerbajxhani. Një axhendë e ngjeshur e Kombëtares në prag të kampionatit Europian që do të zhvillohet në Gjermani. Kuqezinjtë kanë gjetur miqësoren e katërt në pak javë. Më datë 22 mars, Shqipëria drejtuar nga Sylvinho fillimisht do të sfidojë dy herë fituesit e Kupës së Amerikës së Jugut, Kilin, takim që do të luhet në stadiumin Tardini të Parmës.
Tre ditë më pas, skuadra do të udhëtojë në Stokolm për të sfiduar Suedinë, hera e gjashtë që dy përfaqësueset do të përballen në një ndeshje futbolli. Më datë 4 qershor, Federata bëri të ditur se do të zhvillojë një tjetër miqësore, përballë do të jetë Lijteshtejni modest, e ndoshta në këtë sfidë do të ketë një lloj eksperimentimi në fushë nga ana e Sylvinhos.
Nuk mbaron me kaq, stafi i Kombëtares kërkon të mbajë të karikuar lojtarët përpara europianit. Më datë 7 qershor do të jetë miqësorja e fundit, kundër Azerbajxhanit. Takimi është menduar të luhet në Graz të Austirsë në orën 20:45. Hera e gjashtë që luajmë kundër përfaqëseuses azere, dhe të gjitha përballjet janë miqësore. Sa i përket statistikave, tre fitore i përkasin Shqipërisë, një barazim dhe një humbje.