Brahim Diaz në udhëkryq: Të zgjedhë Spanjën apo Marokun?
Maroku ka një ëndërr: të bindë Brahim Diaz të luajë me “Luanët e Atlasit”.
Federata e Futbollit dhe trajneri Walid Regragui prej disa kohësh kanë punuar për të bindur lojtarin e Real Madridit, në prapaskenë dhe publikisht.
Disa madje besuan në mundësinë që ai të mund të thirrej për Kupën e fundit të Kombeve të Afrikës, por lojtari nuk kishte ende shtetësi të dyfishtë.
Tani kjo ëndërr mund të realizohet: sipas As, lojtari po përfundon procedurat për të marrë një pasaportë marokene, vendi i origjinës së babait të tij. Brahim, është në pritje të një telefonate nga Spanja, e cila mund të vijë në ditët në vijim: Luis de la Fuente, i impresionuar nga paraqitjet e fundit të ish-lojtarit të Milanit, mund ta thërrasë atë për ndeshjet e marsit, kur “La Roja” do të luajnë kundër Kolumbisë (22 mars) dhe Brazilit (26 mars).
Ishte De la Fuente ai që bëri të debutojë Diaz me kombëtaren e madhe kundër Lituanisë në 8 qershor 2021.
Nga Maroku prezantuan një projekt mjaft joshës, me Brahimin që do të ishte protagonist dhe ylli i përmasave të para. Kanë mbetur edhe pak ditë, më pas do të jetë në dorën e mesfushorit sulmues se çfarë do të bëjë.
Përshtypja është se në fund ai do të zgjedhë kombëtaren afrikane, sidomos nëse Spanja do ta injoronte sërish.