Zyrtare, Spalletti merr drejtimin e Italisë/ Gravina: Kombëtares i duhej një trajner i madh
Luciano Spalletti është trajneri i ri i kombëtares italiane.
Këtë lajm e bën të ditur Federata Italiane e Futbollit (FIGC) në një njoftim për mediet, ku thekson se tekniku do të nisë nga puna duke filluar nga 1 shtatori.
“Federata Italiane e Futbollit njofton se ka arritur marrëveshjen me Luciano Spalletti për postin e trajnerit të kombëtares italiane. Trajneri toskan do të marrë detyrën duke filluar nga data 1 shtator 2023”-bën me dije federata.
Ndërsa Presidenti i FIGC-së, Gabriele Gravina uroi Spallettin për detyrën e re, ndërsa shton se Italia kishte nevojë për një trajner të madh.
“Të mirëpresim Spallettin! Kombëtarja kishte nevojë për një trajner të madh dhe jam shumë i lumtur që ai pranoi të merrte këtë detyrë. Entuziazmi dhe ekspertiza e tij do të jenë thelbësore për sfidat që e presin Italinë në muajt e ardhshëm”, tha Gravina.