Trepça ’89 fiton derbin ndaj Trepçës
Ka mjaftuar një gol në derbin mitrovicas të Ligës së Parë, ku Trepça’89 dhe Trepça janë ballafaquar sot.
Maddy Fatty ka prekur fare pak topin që vinte nga gjuajtja e lirë e Bleon Sekiraqës për të realizuar dhe për të siguruar fitoren për ekipin e tij.
Pjesa tjetër e ndeshjes, veçanërisht e dyta ka qenë shterpe me pak mundësi për të shënuar skuadrat, ndërsa lodhja te lojtarët vërehej, e trajnerët Shpëtim Idrizi e Emin Baliqi, përkatësisht bënë gati të gjitha zëvendësimet e mundshme deri në fund të ndeshjes.
Fitorja bën që Trepça’89 të mbetet në lojë për luftë drejt Superligës, ndërsa Trepça një hap pas. ‘89-shi është në pozitë të tretë aktualisht me 27 pikë, ndërsa Trepça në të katërtin vend, me 23 pikë, transmeton ballkani.info.
Xhiron që vjen, që mbyllë ciklin e dytë të ndeshjeve të Ligës së Parë, Trepça pret Rahovecin, ndërsa Trepça’89 i shkon Phoenixit.