Gjiganti italian rikthen interesimin për Jorginhon
Juventus ka ringjallur interesimin për mesfushorin e Arsenalit e të kombëtares italiane, Jorginho.
Kontrata e tij skadon në fund të sezonit, megjithatë Arsenal mund ta thotë ende fjalën e tij, pasi ka opsion zgjatjeje për një vit.
Juventus po tregon vëmendje të veçantë në tregun e furtbollistëve për të gjetur lojtarë me parametra zero. Bardhezinjtë kanë ringjallur interesin për mesfushorin e Arsenalit e të kombëtares italiane, Jorginho, për të cilin janë përpjekur edhe më parë, në kohën e trajnerit Sarri, ndërsa Jorginho luante me Chelsean.
Ai është një nga lojtarët e besuar të trajnerit Arteta, por në moshën 32-vjeçare është në pritje të sinjali nga klubi londinez për të ardhmen, pasi Arsenali ka opsionin për zgjatjen njëvjeçare të kontratës.
Nuk është zhvilluar ende asnjë bisedë për këtë aspekt e pikërisht për këtë arsye Juventus ka nisur të lëvizë, me synimin për ta rikthyer në Itali ish-lojtarin e Napolit. Ndonëse transferimi nuk u realizua në kohën e Sarrit, marrëdhëniet midis klubit bardhezi dhe lojtarit kanë mbetur të mira, aq më tepër që tani te Juventus është drejtori sportiv Xhuntoli, me të cilin ka punuar te Napoli.
Megjithatë, ashtu si në rastin e lojtarëve të tjerë, edhe në rast se nuk merr sinjale rinovimi nga Arsenali, Jorginho është i interesuar të dijë se cili do të jetë trajneri i ardhshëm i Juventusit dhe planet e tij, pasi Allegri ende nuk është konfirmuar.