Paqueta mund të bëhet sot lojtar i ri i Cityt
Lucas Paqueta mund të bëhet sot lojtar i ri i Manchester Cityt.
Sipas mediumit britanik “Sky Sports”, sot (e premte) mund të jetë dita vendimtare për ta mbyllur këtë çështje.
Lajmin e ka bërë me dije një burim i afërt me kampionin anglez, i cili ka zbuluar se ekziston 90% e mundësive që ky transferim të realizohet në 24 orët e ardhshme.
Trajneri Pep Guardiola e ka kërkuar futbollistin brazilian pas largimeve të Ilkay Gundogan e Riyad Mahrez, por edhe si rezultat i lëndimit të fundit të Kevin De Bruyne, i cili do të qëndrojë jashtë fushës së blertë për disa muaj.
Paqueta kishte zbarkuar në West Ham United vitin e kaluar dhe me “Hammers” i ka zhvilluar 42 ndeshje, duke i shënuar 5 gola dhe ndërkohë i ka bërë edhe 7 asistime.
Ai e ka mbyllur sezonin me triumf në Ligën e Konferencës falë fitores ndaj Fiorentinës në finale me rezultat 2:1.
Pikërisht në atë sfidë, ish-futbollisti i Milanit dhe i Lyonit e shërbeu me asistim bashkëlojtarin Bowen.
Klubi londinez e ka zgjedhur tashmë zëvendësuesin e tij, i cili është ganezi i Ajaxit, Kudus, për të cilin është i gatshëm t’i paguajë 50 milionë euro.
Ndërsa City mund ta bëjë të vetin Paquetan për 100-110 milionë euro.