Menaxheri i Mustafë Abdullahut: Shqipëria i premtoi se do ta merrte në Evropian, por e refuzoi për Kosovën
Portieri i talentuar i Tiranës Mustafë Abdullahu e ka refuzuar shansin që të luajë me Shqipërinë në Kampionatin Evropian “Euro 2024”, vetëm për Kosovën.
Abdullahu ishte mes dy zgjedhjeve muaj më parë, pasi kishte oferta si nga Shqipëria U21 ashtu edhe nga Kosova U21, ku në fund e zgjodhi fanellën ‘dardane’, duke debutuar nën urdhrat e Afrim Tovërlanit.
Megjithatë, Shqipëria ka bërë çmos për t’ia ndryshuar mendjen ‘gardianit’, atë duke i ofruar edhe një pozitë në Kampionatin Evropian, mirëpo prapë përgjigja e këtij të fundit ishte negative, kështu së paku deklaroi agjenti i tij Qazim Pollomi për Gazetën Nacionale.
“Shqipëria U21 e ftoi, por nuk kishte dëshirë që të shkonte dhe erdhi te Kosova”.
“Arsyeja? Pa marrë parasysh, kombëtarja e Shqipërisë është kombëtare e Shqipërisë këtë s’e nënçmojmë, por në vendin që ka lindë Mustafa, aty i rreh zemra më shumë dhe prandaj do ta mbroj fanellën e Kosovës”.
“Pasi vendosëm për Kosovën, ka marrë ftesë edhe nga kombëtarja A e Shqipërisë, iu është premtuar që do ta marrin edhe në Kampionatin Evropian, por prapë nuk ka dashur të shkonte”, shpjegon Pollomi.
Kalimi te Tirana dhe papritur portier i parë
Abdullahu bëri një lëvizje të papritur dhe mund të themi gjigante, pasi nga Besa e Kavajës kaloi te gjiganti shqiptar, e pastaj edhe luajti titullar duke fituar vëmendjen e mediave lokale pas disa super paraqitjeve.
Pollomi ka treguar disa prapaskena interesante, me Abdullahun që është ‘detyruar’ të luajë edhe i lënduar vetëm që të mos e linte skuadrën keq.
“Mustafa ka shku prej Besës së Kavajës te Tirana, ka shkuar si portieri i dytë. U lëndua portieri kryesor dhe iu nevojit që të mbronte si portieri i parë”.
“Kemi prit që do të mbronte titullar. Mustafa ishte pak pa fat pasi u lëndua, por edhe i dëmtuar ka ndodhur që të luante për të mos e lënë skuadrën keq”.
Ndër të tjera, Abdullahu tashmë ka fituar vëmendjen e shumë klubeve, përfshirë gjigantit rumun Rapid Bukuresht, që raportohet se ka ofruar rreth 600 mijë euro.
“Për shifrën e Rapidit nuk mund të flas sepse ka edhe spekulime të mediave, por oferta ka pasur dhe ka për shumë klube. Por, ai është i fokusuar te Tirana, ka një kontratë pesëvjeçare. Pastaj të shohim se si vendos edhe klubi i Tiranës”.
“Ai është i hapur për t’u larguar, mirëpo gjithçka varet nga klubi i Tiranës pasi ka kontratë pesëvjeçare”, nënvizoi menaxheri i portierit.