LAJMI I FUNDIT: Muriqi me Mallorcan në finalen e madhe të Kupës së Mbretit
Mallorca ka arritur ta eliminojë Real Sociedadin, duke siguruar “biletën” për në finalen e Kupës së Mbretit.
Edhe pse rezultati i përgjithshëm ishte 1:1 në dy ndeshjet, Mallorca arriti të kualifikohet tutje duke qenë më të saktë në penallti, ku fituan me rezultat 4:5.
Real Sociedad ishte skuadër shumë më e mirë, duke dominuar nga fillimi por vetëm dështuan ta thyenin mbrojtjen mysafire.
Vendasit e nisën për mrekulli dhe kishin rastin e artë për të avancuar, megjithatë Brais Mendez dështoi të shënonte nga pika e bardhë.
E kur askush s’e priste, me Sociedadin që po sulmonte gjatë tërë kohës – mysafirët krijuan një kundëraksion të shpejtë ku Allessandro Gonzalez Apud realizoi me kokë pas harkimit të Jaume Costas.
Sociedad megjithatë s’u dorëzua dhe ishte i inkuadruari Mikel Oyarzabal që realizoi një gol fantastik pas pasimit të Mendez për ta barazuar rezultatin.
Dy skuadrat më nuk kishin ndonjë rast që vlen të ceket, andaj edhe ndeshja shkoi në vazhdime. Pavarësisht dy pjesëve nga 15 minuta, sërish asnjëra skuadër s’arriti t’i finalizojë aksionet andaj fituesi u përcaktua në 11-metërsh.
Nga pika e bardhë, “fytyra tragjike” e vendasve doli të jetë vetë kapiteni Oyarzabal duke dështuar qysh në penalltinë e parë, me Mallorcan që ishte e pagabueshme.
Vlen të ceket që Vedat Muriqi u inkuadrua në pjesën e dytë, mirëpo e shënoi penalltinë e parë duke ia shtuar besimin bashkëlojtarëve.
Kësisoj, Mallorca me Muriqin tani synon ta fitojë trofeun e parë në më shumë se 50 vite, ku do të përballen me fituesin e gjysmëfinales tjetër Athletic Bilbao – Atletico Madrid.