Zyrtare/ “I kemi besuar dirigjencën e simfonisë tonë”, Ballkani dhe Ilir Daja rinovojnë kontratën deri në 2026-ën
Ilir Daja do të drejtojë skuadrën e Ballkanit deri në vitin 2026.
Këtë lajm e kanë bërë publik kampionët e Kosovës, ndërsa përmes rrjeteve sociale theksojnë se Daja së bashku me “kalorësit” e tij nisën të shkruajnë historinë e klubit nga Suhareka, ndaj dhe i është besuar “dirigjenca e simfonisë” edhe për dy vite të tjera.
“Ne ia kemi besuar dirigjencën e “simfonisë” tonë.
Ai me “orkestrën”e tij, kompozoi perla të pavdekshme, të cilat tashmë janë gdhendur në partiturat e historisë.
Ne i kemi besuar të na prijë betejave.
Ai me “kalorësit” e tij, ngriti fronin e lavdisë!
Andaj ai padyshim që mbetet njëri prej nesh 🧡🖤
Zonja dhe zotrinj, tifozë të kampionit të Kosovës, me kënaqësinë më të madhe ju njoftojmë se me maestron e fushës së blertë, me profesorin e nderuar, Ilir Daja, kemi vazhduar deri në vitin 2026.
Bashkë kemi nisur t’u shkruajmë faqet e historisë së futbollit tonë, bashkë do t’i vazhdojmë!
Na priftë e mbara!”-shkruhet në postimin e Ballkanit.