Dorëzohet Bayerni, Davies ka një marrëveshje me Realin e Madridit
Mbrojtësi i majtë i Bayernit të Mynihut, Alphonso Davies, nuk dëshiron të rinovojë kontratën e tij e cila skadon më 30 qershor të vitit 2025.
Sipas “Sky Sport Deutschland”, kjo është ajo që doli nga takimi i disa ditëve më parë mes agjentit të kanadezit dhe drejtor sportiv të bavarezëve Christoph Freund. Anësori ka vendosur shumë kohë më parë që ekipi i tij i ardhshëm të jetë Reali i Madridit.
Madje sipas mediave britanike: Është arritur një marrëveshje verbale mes Real Madridit dhe Alphonso Davies për sezonin e ardhshëm. Sipas “The Athletic” spanjollët duan me çdo kusht anësorin kanadez.
Bayerni kërkon 50 milionë euro për të lënë të lirë Alphonso Davies, ndërsa Reali do të japë fillimisht një ofertë më të ulët, rreth 35 milionë. Vlera e lojtarit në treg është rreth 70 milionë, por fakti që ka vetëm edhe një vit kontratë e penalizon klubin gjerman që zotëron kartonin e tij.
Por marrëdhëniet mes dy klubeve janë të mira dhe zakonisht spanjollët kënaqin të gjitha palët e përfshira në operacion, pothuajse gjithmonë duke arritur rezultatin e dëshiruar.