Sonte Kosova-Irlanda, Dardanët synojnë fitore
Kombëtarja e Kosovës në basketboll, sonte do të përballet me Irlandën në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Dardanët dhe irlandezët do të ballafaqohen në kuadër të para-kualifikueseve për Kupën e Botës FIBA 2027.
Basketbollistët e Kombëtares sonë, janë përgatitur intensivisht për duelin me Irlandën, ndeshje në të cilën skuadra jonë do të kërkojë fitore, ndonëse nuk do të jetë aspak mision i lehtë për djemtë tonë.
Atmosfera në kampin e Kosovës është mjaft e mirë dhe premtuese për një paraqitje të mirë në duel me irlandezët, edhe pse skuadra jonë do të jetë pa Erjon Kastrati dhe Domenic Artis të lënduar, derisa në dilemë është e paraqitje e Lis Shoshit.
Kujtojmë se Kosova është në grup me Zvicrën, Irlandën dhe Azerbajxhanin.
Sfidën e parë Dardanët e luajnë sonte ndaj Irlandës në Prishtinë, derisa sfidën e dytë ndaj Azerbajxhanit më 25 shkurt në udhëtim.
Raundi i parë para-kualifikues i Kupës së Botës të Basketbollit FIBA 2027 do të luhet në tre dritare më 19-27 shkurt 2024, 18-26 nëntor 2024 dhe 17-25 shkurt 2025, nga një ndeshje në shtëpi dhe jashtë.
Të tre fituesit e grupeve së bashku me skuadrën e renditur më të mirë në vendin e dytë do të kalojnë në raundin e dytë para-kualifikues të Kupës së Botës 2027 të FIBA-s, i cili do të luhet në verën e vitit 2025.
Ndeshja Kosova-Irlanda fillon në orën 19:00.