Trajneri më i miri i vitit, dy italianë sfidojnë Guardiolën
UEFA publikoi listën me emrat e tre trajnerëve kandidatë për çmimin si Trajneri më i Mirë i Vitit, teksa në garë për këtë çmim prestigjioz janë trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ai i Interit Simone Inzaghi dhe ai i Napolit, Luciano Spalletti.
Spanjolli ishte autor i një sezoni në kufijtë e perfeksionit me “The Citizens” duke qenë se fitoi tre tituj; Premier League, Champions League dhe FA Cup.
Në këtë formë, Guardiola mbetet favoriti kryesor, megjithatë pas nuk mbeten edhe Inzaghi me Spallettin. Numri një i Interit udhëhoqi zikaltërit drejt finales së Champions League edhe pse nuk konsideroheshin favoritë në fillimin e sezonit ndërsa gjithashtu ekipi nga Milano triumfoi në Kupën e Italisë.
Ndërkohë, Luciano Spalletti riktheu titullin që mungonte prej 33-vitesh për të kaltërit, Napoli fitoi titullin e tretë në histori ndërsa tekniku Spalletti i dhuroi skuadrës edhe një lojë tërheqëse ndërsa napoletanët mbërritën deri në çerekfinalen e Champions League.
Fituesi i çmimit si Trajneri më i Mirë i Vitit do të shpallet më datë 31 gusht në Monaco, aty ku do të mbahet edhe shorti për fazën e grupeve të Champions League.