Drita mposht Ballkanin, fiton Malisheva dhe pa gola në Drenas
Drita ka fituar kryederbin e xhiros ndaj Ballkanit, derisa pikët e plota i ka arkëtuar edhe Malisheva në udhëtim te Prishtina kurse Feronikeli ’74 ka ndarë pikët me Gjilanin.
Ndeshja më interesante padyshim u zhvillua në Gjilan, ku “Intelektualët” triumfuan ndaj liderit me rezultat minimal 1:0.
Derbi mes dy skuadrave që kanë dominuar këto vitet e fundit ishte fantastik nga minuta e parë, me lojë të hapur por vetëm me një gol të shënuar.
Dallimin e bëri Juan Mesa, duke realizuar me kokë pas harkimit fantastik të Besnik Krasniqit.
Ballkani disa herë mund të shënonte përmes Armend Thaqit dhe Almir Kryeziut, por që Maloku bëri pritje të njëpasnjëshme për t’ua mohuar golin.
Kësisoj, gara për titull bëhet edhe më interesante me Ballkanin që mbetet lider me 44 pikë, derisa Drita qëndron në pozitën e tretë me 40 sosh.
Në anën tjetër, Prishtina ka pësuar humbje në shtëpi nga Malisheva me rezultat 0:2, ku fytyra ‘tragjike’ ishte portieri Kolaj.
Malisheva shënoi të dy golat falë gabimeve amatore të Kolajt, ku si pasojë edhe arkëtuan pikët e plota.
Fillimisht Altin Aliu e kaloi skuadrën mysafire në epërsi (33’), derisa talenti Drilon Hazrollaj e vulosi fitoren (88’).
Malisheva renditet në pozitën e katërt në tabelë me 35 pikë kurse Prishtina qëndron në vendin e gjashtë me 30 sosh.
Në përballjen tjetër, Feronikeli ’74 ka marrë barazimin e dytë radhazi nën urdhrat e Kuqit, duke u ndalur nga Gjilani.
Edhe pse në shumë aspekte ishin skuadër më e mirë, vendasit nuk ia dolën t’i finalizonin goditjet e shumta. Gjilani gjithashtu mund ta ‘dënonte’ me disa kundërzbritje por që sërish larg konkretizimit.
Feronikeli ’74 qëndron në pozitën e shtatë me 23 pikë, dy më shumë se Gjilani që zë vendin e tetë.