Gjilani nis epokën e re, rikthen në bankinë trajnerin 43-vjeçar
Gjilani ka nisur epokën e re, teksa biznesmenët e rinj e kanë nisur ndërtimin e ekipit me emërin e trajnerit të ri.
“SuperSport.al” mëson se Gentian Mezani do të jetë trajneri i ri i Gjilanit. Ky është një rikthim për vlonjatin, i cili që në eksperiencën e parë ka drejtuar këtë skuadër nga marsi i vitit 2019 deri në nëntor të 2020.
Mezani do të nisë menjëherë nga puna për të ndëruar një skuadër nga fillimi, për shkak se më shumë se gjysma e ekipit është larguar. Ndikuar nga situata e vështirë Federata e Futbollit të Kosovës e shtyu ndeshjen e parë mes Fushë Kosovës dhe Gjilanit, për t’u dhënë mundësinë këtyre të fundit të riorganizohen.
Mezani do të ketë një mision tepër të vështirë, pasi në një kohë rekord duhet të bëjë merkaton e të fusë skuadrën në shina, për të tentuar më pas ringritjen.
Gjilani ishte pjesëmarrës në raundin e parë të Conference League, por u eliminua nga skuadra Progres Niederkorn dhe menjëherë pas sfidës së kthimit ekipi u shpërbë.