Ministri Çeku: Bashkë me Agim Ademin po punojmë shumë në konsolidimin e stadiumeve
Federata e Futbollit e Kosovës ka lansuar strategjinë e saj për periudhën 2024 – 2028 nën moton “Themelet e së ardhmes”.
Në ceremoninë e mbajtur në hotel “Emerald”, krahas mysafirëve të shumtë nga komuniteti i futbollit i pranishëm ishte edhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Hajrulla Çeku si dhe përfaqësuesi i UEFA-s, Denis Bastari dhe përfaqësuesit e FIFA-s, Gianni Manca dhe Lorenzo Cavallari FIFA.
Presidenti Agim Ademi në adresimin e tij para të pranishmëve falënderoi UEFA-n që i qëndroi afër FFK-së në hartimin e kësaj strategjie, derisa theksoi se tashmë rruga përpara ka të ardhme të ndritur.
“Kjo strategji është rruga e federatës drejt zhvillimit të futbollit kosovar në vitet e ardhshme. Ajo përmban vizionin tonë për të ardhmen dhe garanton zhvillim e progres. Ne jemi të përkushtuar që t’i përmbushim të gjitha pikat e kësaj strategjie, në mënyrë që komunitetit të futbollit t’i krijojmë mundësi për avancim të mëtutjeshëm. Synimi ynë është që në çdo cep të vendit ta kemi nga një fushë stërvitore. E kjo nuk mund të bëhet edhe pa mbështetjen e MKRS-së, e cila tashmë ka filluar zbatimin e strategjisë së saj për përmirësimin e infrastrukturës, me punimet në stadiumin ‘Adem Jashari’, derisa shumë shpejt do të nisin edhe punimet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ për ta bërë fushën me bari hibrid”, ka theksuar ndër të tjera presidenti Ademi.
Ndërkaq, ministri Hajrulla Çeku u shpreh i lumtur që është pjesë e këtij eventi dhe përgëzoi Federatën e Futbollit të Kosovës për krijimin e strategjisë për periudhën katërvjeçare.
“E përgëzoj FFK-në dhe presidentin Ademi, i cili krahas punëve të tjera është i përkushtuar edhe në planifikimin strategjik afatgjatë. Në bashkëpunim me FFK-në dhe komunat po bëjmë konsolidimin e stadiumeve. Presidenti Ademi përmendi investimet në stadiumet ‘Adem Jashari’ dhe ‘Fadil Vokrri’, por ne me po aq zell po i trajtojmë edhe stadiumet e tjera. Brenda 5 viteve besoj se Kosova do ta përmbyll temën e infrastrukturës sportive”, ka thënë Çeku.
Ai ka thënë se MKRS gjatë këtij viti po planifikon edhe nisjen e stadiumit nacional.