400 km udhëtim për në shtëpi, Xhaka jeton me makthet e Arsenalit
Nëse mendoni se gjithçka shkon mirë për Leverkusenin e keni gabim.
Vetëm pak minuta se të merrte avionin për në Këln, skuadrës që po kryeson kampionatin gjerman i është thënë se çarteri kishte pësuar një defekt dhe se për këtë arsye nga Shtutgarti deri në Leverkusen duhet të merrnin një autobus dhe të përshkruanin plot 400 kilometra rrugë.
Rrugëtimi nuk ishte i lehtë për Xhakën me shokë, të cilët më shumë se kurrë tani fluturojnë në klasifikim me tetë pikë më shumë se ndjekësit më të afërt, Bayern Munich.
Distanca është e konsiderueshme ashtu siç janë edhe numri i ndeshjeve të mbetura deri në fund të kampionatit. Xhaka e di fare mirë se çdo të thotë tani për ekipin secili nga 13 duelet e ardhshëm.
“Mendoj se kemi diçka për të humbur, në secilën ndeshje duhet të luajmë me mendjen se mund të humbim diçka nëse nuk marrim fitoren”, nis rrëfimin e tij Xhaka.
Mesfushori në një prononcim për mediet gjermane ka treguar eksperiencën e jetuar një vit më parë në Londër ku me “Topçinjtë” kryesoi për shumë javë Premier Ligën, por në fund nuk arriti që ta fitonte.
“Në Londër kam përjetuar momente të vështira në javët e fundit të kampionatit pasi e shikoja se po e humbisnim. Ishte një shije e keqe shumë, pasi e komanduam për javë të tëra, por në fund festoi City. Kjo eksperiencë më ka shërbyer shumë dhe tani në Leverkusen duhet të futemi në fushë sikur po humbim diçka”, rrëfen Xhaka.