“Mos prisni lojë të bukur nga Llapi, na duhen pikët për kreun e renditjes” – Batatina flet pas fitores ndaj Dukagjinit
Tahir Batatina është ndarë i kënaqur me fitoren e Llapit ndaj Dukagjinit, në ndeshjen që u mbyll 2-1.
Me këtë fitore, Llapi i afrohet Balkanit në katër pikë në kreun e renditjes, duke e hapur dukshëm luftën për titull.
Ky fakt e ka gëzuar trajnerin Tahir Batatina, i cili ka thënë se nuk ka qenë e lehtë përballja me Dukagjinin.
“Asnjë ndeshje nuk është e lehtë. Besoj se kemi marrë gjitha masat për këtë ndeshje, pasi Llapit i duhej fitorja dhe i duhen pikët. Dukagjini është skuadër që ka ekip të mirë dhe punon shumë në defansivë. Shënuam herët nga penalltia dhe kishim një lojtar më shumë sesa Dukagjini”.
“E shfrytëzuam avantazhin numerik dhe kjo bëri diferencën. Goli i dytë erdhi në momentet vendimtare. E rëndësishme është që në këtë stinor pranveror të marrim rezultate pozitive. Nuk mund të luajmë futboll cilësor siç ka bërë Llapi gjithmonë, por kemi nevojë për pikë. I përgëzoj djemtë për angazhimin”.
“Llapi ka krijuar ekip solid, nga portieri deri te sulmuesi. Kemi numër të mjaftueshëm të lojtarëve. Më e vështira është ta bëj një 11-she. Djemtë këtë e kanë kuptuar por ka harmoni. Është harmoni të cilën po e shijojmë të gjithë së bashku”, ka thënë Batatina pas ndeshjes.