“Inter-i ka qëllim të ndryshëm nga ne”, Rabiot: Sonte ishim dobët, duhet të bashkohemi
Pas barazimit 2-2 ndaj Verona-s, autori i njërit prej golave të Juventus, Adrien Rabiot e cilësoi si të dobët këtë përballje.
Francezi u shpreh për mediet se skuadra e tyre duhet të punojë që të rikthehet në formën që kishte në fillim të sezonit.
“Pas humbjes së kaq shumë pikëve, ishte e nevojshme të bënim më shumë. Duhet të rifitojmë konsistencën që kishim në fillim të kampionatit, po pësojmë shumë gola. Është thelbësore të rikthehemi në rrugën e duhur dhe të rifitojmë besimin, po na mungojnë fitoret. Është gjithashtu e vërtetë që është e vështirë për të gjithë këtu, Verona është një ekip i mirë që na krijoi vështirësi”, tha fillimisht ai.
Ndërsa sa i përket qëllimit, francezi u shpreh se Juventus-it i duhet vendi i dytë dhe duhet të fokusohet aty, duke hequr dorë në njëfarë forme nga gara për titullin e Serie A.
“Ne e dimë se ne mund të marrim avantazhin në çdo moment, për fat të keq nuk jemi aq të fortë në prapavijë sa ishim në fillim. Inter-i ka tjetër qëllim, ne duhet të sigurojmë vendin e dytë pa u shqetësuar se kush është prapa. Kemi 54 pikë, ka ende shumë për të bërë”, deklaroi Rabiot.