Napoli e nis aksionin “fshesa”, edhe Rrahmani në listën e largimeve të mundshme
Napoli po planifikon të bëjë revolucion në ekip në verën që po vjen.
Kampionët aktualë të Italisë nuk janë të kënaqur me rrjedhën e këtij sezoni pasi ky ekip rrezikon të mbetet jashtë zonës Champions.
Prandaj, mediumi italian “Gazzetta dello Sport” shkruan se napolitanët mund t’i largojnë shtatë futbollistë pas përfundimit të sezonit aktual.
E në mesin e tyre, mediumi në fjalë e përfshin edhe Amir Rrahmanin.
Futbollisti kosovar ka pësuar rënie të formës mbi të gjitha pas largimit të shokut të repartit, Kim dhe nuk është më ai i vjetri që jemi mësuar ta shohim.
Për këtë arsye, mediat italiane e shohin si të mundshëm largimin e përfaqësuesit kosovar nga “Diego Maradona”.
Për 29 vjeçarin javë më parë u spekulua se interesim kishte shprehur Atalanta, ku do t’i bashkohej Berat Gjimshitit.
Ndërkohë, ish-futbollistin e Dinamo Zagrebit e pëlqen edhe Atletico Madridi i Diego Simeones, i cili do të tentojë ta transferojë gjatë verës.
Rrahmani nuk është më i pashitshëm dhe i padiskutueshëm në Napoli.
Andaj, ai mund t’ju bashkohet yjeve si Alex Meret, Mario Rui, Giovanni Simeone, Giacomo Raspadori, Piotr Zielinski e Victor Osimhen, për t’u larguar nga ekipi napolitan.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, pa kualifikim në Champions, shumë heronj të Scudettos do të bëhen një e kaluar e këtij klubi.