Barella i premton besnikëri Interit, gati rinovimi deri në vitin 2029
Nicolò Barella është gati t’i thotë “po” Interit deri në vitin 2029.
Gjithçka që mungon është leja e Steven Zhang dhe më pas mesfushori do të vendosë me stilolaps nënshkrimin që do ta lidhë atë me klubin zikaltër për pesë sezone të tjera.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Interi po studion një formulë të veçantë pagash si për Barella ashtu edhe për Lautaro Martinez, e cila vërtet do të ketë një pjesë të madhe fikse, por që do t’i lejojë lojtarët të marrin pjesë në të ardhurat e ecurisë ndërkombëtare të skuadrës. Me pak fjalë: sa më shumë të fitojë Interi nga rrugëtimi i tij në Ligën e Kampionëve, ose nga Kupa e ardhshme e Botës për Klube, aq më shumë lojtarët do të shohin rritjen e pagave të tyre. Është një ide inovative. Në fakt, lojtarët nuk do të fitonin më shpërblimin klasik për fitimin e trofeut, por do të shihnin një bonus performance në bazë të të ardhurave të klubit të përfshirë në kontratën e tyre.
Shifrat- Aktualisht, duke folur për një pjesë fikse, Barella merr 6 milionë euro në sezon nga Interi dhe në kontratën e re është e vështirë që kjo të ndryshojë shumë. Kjo është arsyeja pse Barella dhe Interi po diskutojnë më shumë se çdo gjë tjetër për pjesën e ndryshueshme të kontratës. Mesfushori do të fitojë 7 milionë euro në sezon me marrëveshjen e re, falë përfshirjes së bonuseve të lehta, disa pothuajse automatike të lidhura me objektiva shumë minimalë. Këtyre do t’u shtohen edhe çmimet e përmendura më parë.
Refuzimi i Cityt – Në fund të gushtit, në javën e fundit të merkatos, në “Viale della Liberazione” mbërriti një kërkesë zyrtare për informacion nga Manchester City. Klubi anglez së fundmi kishte braktisur pistën e Paquetà dhe vendosi të trokasë fillimisht te Interi dhe më pas te vetë Barella. Por as klubi dhe as lojtari nuk e hapën derën, aq sa negociatat në këtë kuptim nuk filluan asnjëherë.