Ancelotti: Morëm maksimumin ndaj Leipzig, në Madrid “ndryshon muzika”
Një supergol i Brahim Diaz i dha fitoren Realit të Madridit në një transfertë mjaft të komplikuar në Gjermani përballë Leipzig, teksa tashmë “Los Blancos” janë me një këmbë në çerekfinale.
E pranon këtë edhe trajneri Carlo Ancelotti, që thekson se në ndeshjen e kthimit në “Santiago Bernabeu” do të jetë një “tjetër muzikë” dhe pret të shohë një tjetër fytyrë të skuadrës së tij.
“Ishte një ndeshje e vështirë, e luftuar shumë në çdo cep të fushës. E prisnim të ishte e tillë, por skuadra ishte gjithë kohën në kontroll të lojës, ndaj edhe kjo mund të jetë një notë pozitive. Largohemi me avantazhin e një goli, duke qenë të bindur që në Madrid do të shohim një tjetër ndeshje”, u shpreh italiani.
Ancelotti ka vlerësuar jo pak ukrainasin Lunin, që ishte mes shtyllave në Leipzig, por edhe Brahim Diaz, për golin spektakolar që shënoi.
“Lunin bëri një ndeshje të shkëlqyer, ndoshta më të mirën që kur ka ardhur te Reali. Kemi besim te ai, por është normale të ketë nevojë për kohë dhe eksperiencë. Diaz është më i pjekur tashmë dhe di të marrë vendimet e duhura në fushë. Goli ishte vërtetë i bukur dhe shpresoj t’i shërbejë edhe më shumë në aspektin moral”, deklaroi trajneri i Realit.