Presidenti Ademi bashkë me Ajetin vizitojnë Lidhjen Rajonale të Gjilanit, bisedojnë për zhvillimin e futbollit
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi në shoqëri të anëtarit të KE të FFK-së, Ismajl Ajetin, të martën kanë vizituar Lidhjen Rajonale të Futbollit të Gjilanit, shkruan GazetaGOLI.com.
I pari i futbollit tonë përmes llogarisë së tij në Facebook, ka thënë se gjatë vizitës në Lidhjen Rajonale të Futbollit të Gjilanit, kanë biseduar për avancimin e këtij regjioni si dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive.
“Sonte bashkë me anëtarin e KE të FFK-së, Ismajl Ajetin vizituam Lidhjen Rajonale të Futbollit të Gjilanit, ku në një atmosferë të ngrohtë kaluam çaste shumë të mira dhe diskutuam për avancimin e këtij regjioni si dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe organizimin sa më të mirë. Kryetari i LRFGj-së, Armend Misini dhe përfaqësuesit e klubeve shprehen mirënjohje dhe falënderime për kontributin tonë në zhvillimin e futbollit. Së bashku do të vazhdojmë ta çojmë futbollin në nivele më të larta në të gjitha regjionet”, ka shkruar presidenti Ademi. /Goli