Premier League si kurrë më parë, gara më emocionuese e 10 viteve të fundit
Gara për titullin e Premier League duket më e forta e viteve të fundit, me tri skuadra maksimalisht konkurruese që po shfaqin një kapacitet shumë të lartë për të ngritur trofeun më 19 maj.
Manchester City edhe njëherë tjetër po gjen vazhdimësinë fantastike me Erling Haaland dhe Kevin De Bruyne të rikthyer nga dëmtimi, ndërkohë Jurgen Klopp do të provojë të mbyllë aventurën e tij 9-vjeçare në mënyrën e duhur me The Reds dhe Arsenali është aty, me të njëjtin ritëm dhe me ambicie të jashtëzakonshme për t’u rikthyer në piedestalin e futbollit anglez për herë të parë që nga viti 2003/04.
Manchester City ende nuk ka udhëtuar në Anfield këtë sezon, ndërsa të tria skuadrat e kreut kanë dhe ndeshje me Tottenhamin në pjesën e mbetur. Të trija skuadrat regjistruan fitore të rëndësishme në javën e 24-të. Momentalisht, Liverpool mban vendin e parë me 54 pikë, Manchester City me 52 pikë me një ndeshje më pak edhe Arsenali në vendin e tretë po me 52. Gara e këtij sezoni konsiderohet më e forta që prej sezonit 2013/14, kur në atë viti konkurronin afër njëra-tjetrës me vetëm 4 pikë mes tyre, Chelsea, Arsenal, Man.City dhe Liverpool, ndryshe nga ky sezon ku 3 skuadrat e para kanë vetëm 2 pikë distancë.
Si Manchester City, Arsenali dhe Liverpooli kanë shfaqur karakteristika të ndryshme këtë sezon. City është skuadra më favorite për ta fituar, për reputacionin që ka krijuar tanimë në Premier League në 3 vitet e fundit që e ka fituar 3 herë. Megjithatë, në shumë ndeshje është treguar që Citizens kanë ndryshime me sezonin e kaluar dhe largimet e Riyad Mahrez, Ilkay Gundogan dhe Cole Palmer nuk janë zëvendësuar siç duhet. Për të krijuar një ecuri të qëndrueshme fitoresh deri në fund të sezonit nuk është diçka e re për Cityn, pasi kujtojmë sezonin 2018/19, Manchester City e përfundoi me 17 fitore në seri dhe 100 pikë.
Llogaritë janë ndryshe këtë sezon dhe skuadrat kanë ndryshuar që nga ajo kohë. Skuadra e Liverpool që ka tanimë në dispozicion Jurgen Klopp ka specifika të ndryshme, ndryshe nga ekipi i famshëm me Sadio Mane, Mo Salah dhe Roberto Firmino. Liverpool ka më tepër fluiditet loje dhe ky është ndoshta dhe shpjegimi përse The Reds janë në gjendje t’i fitojnë ndeshjet në mënyra të ndryshme.
Sulmi ka shumë opsione: Mo Salah, Cody Gakpo, Darëin Nunez, Diogo Jota apo Luiz Diaz dhe mesfusha është ringjallur totalisht në krahasim me sezonin e kaluar, falë investimeve të zgjuara në verë me Dominik Szoboszlai, Alexis MacAllister, Wataru Endo dhe Alexander Arnold ka marrë më tepër përgjegjësi mbi supe, duke shërbyer më shumë në fazën e sulmit, por duke luajtur shpesh dhe si mesfushor.
Për më tepër që tani rikthehet dhe Salah nga dëmtimi, që gjithnjë i jep një ingranazh më shumë skuadrës. Rruga do të jetë e gjatë, por Liverpool do të ketë një arsye më shumë për të luftuar për titullin kampion, për t’i siguruar mbylljen ideale Jurgen Klopp në Angli me trofeun e Premier League.
Arsenali i shkoi shumë pranë titullit në sezonin e kaluar, por në fund diferencën e bëri eksperienca e Manchester City. Topcinjtë e Londrës shpërdoruan një epërsi prej 9 pikësh në krye të klasifikimit, pas hapave të njëpasnjëshëm të gabuar në pjesën e dytë të sezonit. Skuadra e Artetës ishte më aventureske në sezonin e kaluar, fokusi kryesor i jepej sulmit, ndërsa këtë edicion 13-herë kampionët janë më shumë në ekuilibër.
Afrimi i Declan Rice në mesfushë i ka dhënë tepër qetësi organizimit të skuadrës, por edhe Kai Havertz, i cili erdhi nga Chelsea, i ka dhënë shumë kreativitet fazës sulmuese, duke larguar barrën kryesore që ishte vjet mbi Bukayo Saka e Martin Odegaard. Rikthimi nga dëmtimi i investimit më të rëndësishëm të verës në mbrojtje, Jurrien Timber nga Ajax, do ta ndihmojë masivisht skuadrën e Artetës me organizimin nga mbrojtja.
Me 13 javë të mbetura deri në fund të sezonit, Premier League është e hapur, jo vetëm në aspektin e titullit kampion, për çështjen e zonës Champions, ku pritet një luftë e ashpër për biletën e fundit të vendit të katërt mes Tottenhamit, Aston Villës dhe Manchester United, por një garë me emocione do të ofrojë dhe mbijetesa ku janë Sheffield United, Luton Town, Burnley, Everton, Nottingham apo dhe Crystal Palace në luftë për të qëndruar në elitën e futbollit anglez. /SS/