Telashe për Atletico Madridin, buzëqeshin Inter dhe Kombëtarja shqiptare
Lajme të këqija për Atletico Madridin. Sulmuesi kryesor i “Los Colchoneros”, Alvaro Morata pësoi një dëmtim të rëndë në transfertën “andaluziane” ndaj Sevilla dhe la fushën e lojës mes lotësh, pasi u përplas me një mbrojtës kundërshtar në fundin e pjesës së parë dhe u largua nga fusha me ndihmën e mjekëve, teksa paraprakisht dyshohet për një këputje të ligamenteve.
Sulmuesi spanjoll do të kryejë testet mjekësore vetëm të hënën, megjithatë nëse konfirmohet këputja e ligamenteve, atëherë Morata do të duhet t’i nënshtrohet një operacioni dhe të qëndrojë larg fushave për të paktën 6 muaj.
Në këtë mënyrë sulmuesi do të mbyllte para kohe jo vetëm sezonin, por nuk do të arrinte të rikuperohej as për Kampionatin Evropian.
Mungesa e “bomberit” mund të penalizojë jo pak skuadrën e Atletico Madrid, që vetëm spanjollin ka qendërsulmues të mirëfilltë, teksa në repartin e avancuar ka edhe Griezmann, Depay e Correa, mirëpo në telashe është edhe trajneri i Spanjës, De la Fuente, pasi do të duhet të bëjë plane me të tjerë sulmues për Kampionatin Evropian, me “La Furia Roja” që bën pjesë në të njëjtin grup me Shqipërinë, Italinë e Kroacinë.