Albion Rrahmani: Kosova më e fortë se Rumania, duhet të dominojmë në Ligën e Kombeve
Albion Rrahmani ishte pjesë e emisionit “Koha Shtesë” në SuperSport mbrëmjen e të dielës. Sulmuesi nga Kosova, i cili luan për skuadrën e Rapidit të Bukureshtit po shijon një edicion të parë të mirë pas transferimit në afatin kalimtar veror vitin e kaluar.
Deri më tani Rrahmani ka shënuar tetë gola dhe ka asistuar dy herë në dhjetë paraqitje. Aktualisht Rapid është në vendin e dytë gjashtë pikë prapa Steaua Bukuresht që kryeson Superligën.
Rrahmani gjithashtu është pjesë e përfaqësueses së Kosovës ku shpreson ta udhëheq atë drejt suksesit pas hedhjes së shortit për “Nations League”.
Sulmuesi diskutoi lidhur me ambientimin e tij tek Rapid, raportin që ka me lojtarët e tjerë në Superligën e Rumanisë, opinionin e tij mbi kundërshtarët e Kosovës në grupin e saj dhe objektivat e përfaqësueses.
Si ka qenë rikthimi nga lëndimi që pësuat disa muaj më parë?
Ka qenë rikthimi më i mirë i mundshëm për mua. Me ndihmën e të gjithëve kam arritur të rikthehem dhe unë shpresoj të arrijë edhe më shumë në karrierën time.
A ka qenë adaptim i vështirë për ju?
Në fillim mendova se do të duhej kohë të adaptohesha, por të gjithë më kanë pritur në mënyrë madhështore dhe prandaj kam arritur këto shifra. Por nuk jam kurrë krenar deri sa të arrijë majat më të larta të futbollit dhe shpresoj që ky moment pozitiv të vazhdojë.
Si e kishit përfytyruar Superligën e Rumanisë?
Mendova se kampionati ishte i lehtë, por pasi kam diskutuar me Ermal Krasniqin, edhe ai më ka thënë që nuk është i lehtë. Kam parë që futbolli është fizik dhe i vështirë, por jam përshtatur mirë dhe kjo shihet në ndeshjet që luaj.
Si është raporti juaj me Ermal Krasniqin dhe Florent Hasanin?
Është më e lehtë për mua që Ermal Krasniqi dhe Florent Hasani vijnë nga Kosova. Kam luajtur me Krasniqin për një kohë të gjatë dhe kemi një mirëkuptim shumë të mirë dhe shpresoj që do të ketë shumë lojtarë të tjerë nga Kosova që të vijnë këtu, sepse ka shumë lojtarë kualitativë nga Superliga e Kosovës.
Cilat mendoni se duhet të jenë qëllimet e përfaqësueses së Kosovës nga shorti i “Nations League”?
Nga ky short mendoj dhe shpresoj se ne duhet të dominojmë. Sipas cilësisë jemi më të mirët në grup, me Rumaninë kemi luajtur dy herë dhe e dimë se nuk është kundërshtarë i lehtë, por këtë herë jemi edhe më të përqendruar. Kemi lojtarë që po kalojnë momentet më të mira në karrierën e tyre në klubet ku luajnë dhe shpresoj që të gjithë të bëhemi bashkë dhe të fitojmë.
A jemi më të mirë se Rumania?
Po, besoj se po.
Si ka qenë procesi i hedhjes së shortit për ju?
Kam biseduar me disa shokë të cilët kanë thënën se mund të luajnë me Rumaninë dhe Estoninë. Nuk dëshiruam Estoninë për shkak se është shumë ftohtë, por ne jemi me Rumaninë në grup, pasi shorti na bëri të takoheshim bashkë dhe shpresoj që të fitojmë në dy ndeshje.
A ka pasur interes nga klubet për nënshkrimin tuaj dhe ku dëshironi të luani në të ardhmen?
Ka pasur interesim kur kalova tek Rapidi, por lëndimi i vështirësoi gjërat. Klubi pas lëndimit deklaroi se nuk isha në listën e transferimeve në afatin kalimtar dimëror. Unë po punoj me skuadrën që menaxhon të ardhmen time në karrierën profesionale dhe shpresoj të transferohem tek një skuadër kur mund të tregoj veten dhe të përmirësojë karrierën time. Ëndrra ima është të luaj për klubin më të madh në botë për mua Real Madrid, ku do të punoj për ta bërë realitet.