Klopp: Djemtë ‘luftuan’ fortë, morëm tri pikë të rëndësishme
Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, është shprehur i lumtur me fitoren ndaj Burnley-t.
“The Reds” mundën dje Burnley-n (3-1), ndeshje kjo e luajtur në kuadër të javës së 24-të të Premier League-s.
Strategu gjerman tha se të besuarit e tij, luftuan mjaft shumë dhe me meritë fituan ndeshjen.
Por, Klopp u shpreh i shqetësuar më lëndimin e Trent Alexander-Arnold, i cili u largua nga loja në pjesën e parë.
“Djemtë luftuan dhe morëm tri pikë të rëndësishme. Ne kemi humbur shumë lojtarë dhe tani edhe Trent Alexander-Arnold. Duhet të shohim se çfarë po ndodh”, tha Klopp.
Ai lavdëroi edhe skuadrën kundërshtare dhe punën që bën homologu i tij, Vincent Kompany. Sipas Klopp, Burnley bëjnë lojë të mirë.
“Më pëlqen shumë ajo që bëjnë, si luajnë dhe sa i qetë është Vincent Kompany. Ai është padyshim një menaxher i madh”, ka theksuar tekniku gjerman.