Presidenti Ademi dhe zv/drejtori Ujkani flasin pas shortit: Të punojmë së bashku për sukses
Kombëtarja e Kosovës ka mësuar kundërshtarët për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve.
Dardanët janë përfshirë në Grupin 2 të Ligës C, ku janë edhe Rumania, Qipro dhe fituesi i ndeshjes Lituani/Gjibraltar.
Në tërheqjen e shortit të pranishëm ishin edhe presidenti Agim Ademi, drejtori i Kombëtares, Muharrem Sahiti dhe zv/drejtori Samir Ujkani.
Kundërshtarët e këtij grupi Dardanët i njohin mirë, duke pasur parasysh se kanë luajtur në ndeshje zyrtare apo miqësore.
Presidenti Ademi e ka vlerësuar shortin pozitiv, pasi kemi të bëjmë me kundërshtarë të njohur, derisa ka thënë se synojnë ta fitojnë grupin.
“Janë ekipe që i njohim dhe sigurisht që presim rezultate të mira. Uroj që ekipi ynë të ketë sa më pak lëndime dhe të kemi ekipin standard gjatë këtij edicioni. Duke pasur parasysh formën e futbollistëve dhe suksesin që ata po e tregojnë me ekipet e tyre jam optimist. Shpresoj që atë formë të mirë nga klubet ata ta transferojnë edhe në ekipin kombëtar dhe të dalim triumfues. Besoj në ekipin tonë dhe është mirë që para fillimit të edicionit të Ligës së Kombeve do t’i kemi katër ndeshje miqësore, në të cilat trajneri ynë i ardhshëm do të ketë mundësi ta krijojë ekipin që do të jetë fitues i këtij grupi. Uroj që kjo të ndodhë dhe të ecim tutje në një rang më të lartë”, ka theksuar presidenti Ademi pas tërheqjes së shortit për faqen zyrtare të FFK-së.
Sa i përket përballjes së sërishme me Rumaninë dhe problemeve që Kombëtarja e Kosovës pati në Bukuresht, i pari i FFK-së shtoi: “E njohim Rumaninë dhe e dimë si kemi kaluar atje. Por, ne do të fokusohemi vetëm në ndeshje, gjërat tjera do t’i menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, natyrisht duke e pasur edhe kujdesin e UEFA-s”.
Ndërkaq, ish-portieri i Kombëtares, tani në rolin e zv/drejtorit, Samir Ujkani e ka vlerësuar shortin korrekt.
“Është një grup korrekt. E kemi prap kundërshtare Rumaninë, me të cilën u përballëm së fundmi edhe në kualifikimet për Euro 2024. Po ashtu, edhe Qipro është një Kombëtare me të cilën jemi ndeshur dhe e njohim mirë, ndërsa Lituani/Gjibraltar do ta shikojmë se cila do të jetë pjesë e grupit dhe më pas e analizojmë. Gjithsesi ne duhet të shikojmë vetëm veten dhe të kemi besim tek ekipi. Duhet të punojmë të gjithë bashkë për suksesin dhe të dalim të parët në këtë grup”, ka theksuar Ujkani.
Ndeshjet e Ligës së Kombeve fillojnë në shtator. Paraprakisht Kosova në mars do të luajë miqësore me Armeninë dhe Hungarinë, si dhe në qershor me Norvegjinë, si dhe me një kundërshtar tjetër, i cili pritet të konfirmohet së shpejti.