MKRS nënshkruan memorandumet me federatat sportive, ja sa është rritur buxheti
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar memorandume me federatat sportive për zhvillimin e aktiviteteve të tyre vjetore përgjatë vitit 2024.
Buxheti total për këto memorandume sivjet është rritur për mbi 53% në krahasim me vitin e kaluar, gjersa përfitues janë në total 35 federata, të gjitha ato që janë të licencuara në MKRS.
“Shuma e përgjithshme e mbështetjes për federatat sportive është mbi 5.5 milionë euro, ndërsa përveç federatave që kanë qenë në listën e kategorizimit, janë nënshkruar memorandume edhe me federata të sapo licencuara, me qëllim të nxitjes për fillimin e zhvillimit të aktiviteteve të tyre”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Buxheti vjetor i federatave është përcaktuar përmes shumëzimit të pikës nga vlerësimi në kategorizim dhe vlerës së pikës të përcaktuar nga ministria, e cila sivjet është përcaktuar të jetë 3 000 euro për secilën kategori.
Kjo është hera e parë që nënshkrimi i memorandumeve vjetore me federatat sportive është bërë kaq herët, përkatësisht në javën e parë të muajit shkurt, që nënkupton se ato do ta kenë buxhetin në dispozicion shumë më herët se sa në vitet e kaluara.