Klopp largohet në fund të sezonit, Liverpool nis bisedimet me Xabi Alonso

Klopp largohet në fund të sezonit, Liverpool nis bisedimet me Xabi Alonso

Liverpool raportohet se kontakoi me Xabi Alonso dhe i ofroi postin e trajnerit për sezonin e ardhshëm.

Bisedimet nisën menjëherë pasi tekniku i të kuqve Jurgen Klop u komunikoi drejtuesve se kishte vendosur që të largohej nga detyra pas 8 vitesh e gjysmë.

Pak javë më parë, gjermani me anë të një videomesazhi u tha tifozëve se kishte vendosur që të largohej nga “Anfield Road”, pasi po i shteronin energjitë.

Kjo deklaratë e tij solli mjaft befasi e trishtim në klubin anglez, që nisi nga puna për të gjetur zëvendësuesin e tij. Sipas francezëve të “Foot Mercato”, te Liverpooli besojnë se do të bindin një nga figurat që ka qenë pjesë e historisë së skuadrës.

Xabi Alonso ka mbajtur veshur fanellën e të kuqve në vitet 2004-2009 dhe ishte pjesë e ekipit që fitoi Ligën e Kampioneve në 2005. Por në klub e dinë se nuk do të jetë e lehtë që të largojnë spanjollin nga Bayer Leverkusen, me ekipin që po zhvillon një sezon mjaft të mirë në Bundesligë.

Pas 20 takimesh në kampionat, ekipi kryeson me 2 pikë më shumë se sa Mynihu, ndërsa ka fituar 16 prej tyre. Drejtuesit gjermanë edhe pse e dinë për interesin e të kuqve, besojnë se trajneri nuk do të largohet, pasi po planifikon ekipin e sezonit të ardhshëm.

Share This